Lokalizimi i Planit kombëtar aksionar (PKA) për implementimin e Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të KB-së 1325: Femrat, paqja dhe siguria

“Lokalizimi i Planit kombëtar aksionar (PKA) për implementimin e Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të KB-së 1325: Gratë, paqja dhe siguria” ishte tema e trajnimit të cilin e organizoi BNJVL-ja më 7 dhe 8 qershor 2021 për përfaqësuesit e komunave. U ftuan: koordinatori dhe koordinatorja për barazi gjinore; personi përgjegjës për menaxhim me kriza, si dhe personi përgjegjës për mbrojtjen sociale/bashkëpunim me organizatat joqeveritare nga komuna. Trajnimi u realizua në kuadër të projektit “Drejt komunave të përgjegjshme gjinore: përforcimi i kapaciteteve komunale për politika për barazi gjinore dhe buxhetim të përgjegjshëm gjinor (2019-2021)”, të cilin e zbaton BNJVL-ja me përkrahjen e UN Women-it, ndërsa u zhvillua në hapësirat e Qendrës së Trajnimeve të BNJVL-së, ku u sigurua të gjitha masat protokollare të lidhura me parandalimin e virusit korona.

Vendi ynë e miratoi vitin e kaluar Planin e dytë kombëtar aksionar për implementimin e Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të KB-së 1325: Femrat, paqja dhe siguria (2020 – 2025), korniza strategjike. Një pjesë e implementimit të këtij plani nënkupton edhe zbatimin e aktiviteteve në nivel lokal. Në këtë drejtim, të pranishmit në trajnim u informuan në radhë të parë me përmbajtjen e kësaj Rezolute dhe nëntë rezolutave të miratuara të njëpasnjëshme të kësaj sfere; u informuan me thellësinë e shtyllave të saja kryesore; me procesin e miratimit të Planin e dytë kombëtar aksionar për implementimin e Rezolutës të Këshillit të Sigurimit të KB-së 1325: Femrat, paqja dhe siguria. Për të pranishmit ishte shumë e rëndësishme pjesa e kushtuar përcaktimit të sfidave karakteristike të secilit pushtet lokal në drejtim të krijimit të mëtejshëm të politikave lokale dhe dokumenteve për implementimin e aktiviteteve të PKA-së për implementim efikas të Rezolutës 1325: Femrat, paqja dhe siguria.

Rezoluta 1325: Femrat, paqja dhe siguria

Rezoluta 1325: Femrat, paqja dhe siguria u miratua nga Këshilli i Sigurimit të KB-së më 31.10.2000. Me të theksohet rëndësia e pjesëmarrjes së barabartë të femrave në parandalimin e konflikteve, zgjidhjen e konflikteve dhe ndërtimin e paqes së qëndrueshme (https://www.usip.org/gender_peacebuilding/about_UNSCR_1325). Rezoluta 1325 adreson dy çështje thelbësore: ndikimi jo përkatës i konflikteve të armatosura dhe luftërave ndaj femrave dhe vajzave, si dhe roli të cilin duhet ta kenë femrat në parandalimin e konflikteve dhe ndërtimin e paqes.

Rezoluta bazohet mbi katër shtylla kryesore. Me shtyllën e parë u bëhet thirrje shteteve të rrisin pjesëmarrjen e femrave në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, në vetë institucionet: në parandalimin, menaxhimin dhe zgjidhjen e konflikteve; në negociatat paqësore, në operacionet paqeruajtëse, si ushtarë, policë dhe civilë. Në shtyllën e dytë, zotimi është që të sigurohet një mbrojtje e femrave dhe vajzave nga dhuna seksuale dhe me bazë gjinore, duke përfshirë edhe në situatat emergjente dhe humanitare, siç janë kampet e refugjatëve. Në shtyllën e tretë, Rezoluta bën thirrje për përmirësimin e strategjive të ndërhyrjes në parandalimin e dhunës ndaj femrave, duke përfshirë edhe ndjekjen penale të personave që janë përgjegjës për shkeljet e së drejtës ndërkombëtare; përforcimin e të drejtave të femrave sipas legjislacionit kombëtar; dhe mbështetjen e nismave lokale paqësore të femrave dhe proceseve të zgjidhjes së konflikteve. Me shtyllën e fundit bëhet thirrje për avancimin e masave të lehtësimit dhe rimëkëmbjes për zgjidhjen e krizave ndërkombëtare përmes përfshirjes së perspektivës gjinore, duke përfshirë edhe respektimin e natyrës civile dhe humanitare të kampeve të refugjatëve dhe shqyrtimin e nevojave të femrave dhe vajzave në dizajnimin e kampeve të refugjatëve dhe lagjeve. Një pjesë e zotimeve kryesore është edhe integrimi i perspektivave gjinore në të gjitha misionet e ndërmarra nga ana e Këshillit të Sigurimit dhe sigurimi i një perspektive gjinore dhe trajnimi në operacionet e OKB-së për mbështetjen e paqes.

Si të implementohet Rezoluta 1325 në mënyrë efektive në nivel lokal

Në trajnim, një vëmendje e veçantë iu kushtua mbështetjes së përfaqësuesve të pushtetit lokal gjatë fokusimit të sfidave të kësaj sfere në drejtim të krijimit të mëtejshëm të politikave lokale dhe dokumenteve për implementimin e aktiviteteve të PKA-së për implementimin efektiv të Rezolutës 1325: Femrat, paqja dhe siguria. U theksua nevoja për zhvillimin e politikave dhe ndërmarrjen e aktiviteteve konkrete për t’u siguruar një përfshirje më e madhe e  femrave në proceset e vendimmarrjes në të gjitha nivelet për çështje të lidhura me sigurinë në nivel lokal (këshilla lokalë për parandalim, shtabe të krizave); theksimi i nevojës për zbatimin e trajnimeve të ndjeshme ndaj gjinisë për përfaqësuesit e vetëqeverisjes lokale, por edhe për përfaqësuesit e mekanizmave të krijuar lokalë; identifikimi i rreziqeve të sigurisë në nivel lokal, analiza e ndikimit të tyre ndaj femrave, si dhe roli i femrave në drejtim të parandalimit të të njëjtave (konfliktet etnike; prania e armëve ilegale; ekstremizmi i dhunshëm dhe terrorizmi). U theksua gjithashtu edhe nevoja për identifikim të saktë të problemeve (nëse konstatohet se ekzistojnë ato) të lidhura me sigurinë e femrave në nivel lokal (dhuna ndaj femrave dhe dhuna në familje; dhuna ndaj femrave dhe vajzave në hapësirën publike; tregtia me njerëz). Pastaj, identifikimi i rreziqeve të fatkeqësive natyrore, pandemia nga Kovid-19 etj.; parashikimi i masave në nivel lokal me qëllim të zbatimit të Rezolutës 1325 dhe sigurimi i mjeteve buxhetore; vendosja e objektivave të qarta, indikatorëve dhe kornizës kohore; zhvillimi dhe implementimi i planeve lokale aksionare dhe të tjera.

Në trajnim u ftua edhe një përfaqësuese nga Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Maqedonisë së Veriut, anëtare e grupit punues për hartim të PKA-së, e cila, mes tjerash, prezantoi edhe shembuj konkretë zotimesh të cilat i realizon kjo ministri në drejtim të implementimit efektiv të kësaj rezolute të KB-së dhe sigurimit të një përfshirjeje më të madhe të femrave në radhët e kësaj ministrie.

Nga diskutimi dolën edhe rekomandime të caktuara në drejtim të zbatimit efikas të Rezolutës 1325. U theksua nevoja për zbatimin e një fushate të gjerë kombëtare për promovim të Planit kombëtar aksionar (PKA) dhe mundësi për pjesëmarrje në krijimin e planeve lokale për zbatimin e Rezolutës. Përmirësim i mekanizmave të monitorimit dhe vlerësimit të zbatimit të saj; rishikim i planeve aksionare përmes mbajtjes së mbledhjeve vjetore; sigurim i një mekanizmi për koordinim dhe komunikim në kuadër të Grupit punues ndërministror për implementim. U theksua gjithashtu edhe nevoja për një avancim shtesë dhe promovim të femrave në kuadër të institucioneve; zbatim të analizës gjinore dhe grumbullim të të dhënave të ndara sipas gjinisë nga ana e institucioneve shtetërore dhe atyre lokale; rritje të qasjes së të dhënave dhe analizave, përmirësim të çështjeve të lidhura me paqen dhe sigurinë dhe të tjera.